Nga Prof. Gjergj SINANI
Tek ne kanë dështuar dhe po dështojnë përpjekjet për të krijuar një shoqëri demokratike pasi nuk po arrihen të bashkohen Liria me Drejtësinë! Liria, Drejtësia dhe Demokracia nuk mund të realizohen pa një ripërtëritje morale dhe intelektuale. Të ashtuquajtur burra shteti në historinë tonë moderne dhe të këtij tranzicioni të zgjatur, na janë paraqitur si fëmijë.
Shqipëria e vogël nuk ka se ç’rol të luajë në fatin e botës, por të paktën të mendojë për fatin e shqiptarëve pas natës totalitare. Drejtuesit tanë moderrnë, me një lehtësi morale, arritën që të shkatërrojnë gjithçka. Në mënyrë naive ose jo, politikanët tanë menduan se me një kushtetutë të mirë republikane dhe një kod zgjedhor mund të ngrihej një shoqëri demokratike.
Në kohë tranzicionesh kategoria e kameleonëve, shtohen. Jo më kot Gjergj Fishta, pas pavarësisë së Shqipërisë, lëshoi thirrjen se tani që bëmë Shqipërinë, hajt të bëjmë shqiptarët. Detyrë që edhe sot mbetet e parealizuar dhe që na bën të lëngojmë edhe sot në detyrën për të pajtuar lirinë me drejtësinë.
Që Europa të mos binte në një “urrejtje shpirtërore dhe barbari”, Hyserli, kërkoi një “rilindje të Europës duke nisur nga shpirti i filozofisë”, sepse “Filozofia, duke u shpalosur në format e kërkimit dhe të kulturës prodhon një pasojë të dyfishtë shpirtërore. Nga njera anë, më thelbësorja në qëndrimin teoretik të njeriut filozofik është vetë universaliteti i sjelljes kritike, e cila vendos që të mos pranojë pa pyetje asnjë opinion të dhënë që më parë, asnjë traditë dhe të shtrojë sa më parë, kundrejt universiumit tradicional të dhënë që më parë, pyetjen mbi të vërtetën në vetvete, e cila është një idealitet”. Këto rreshta ai i shkroi në vitin 1936 dhe pas tre vitesh Europa ra në një barbari siç ishte Lufta II Botërore, ndërsa ne ramë në një barbari më shumë, siç ishte barbaria e arsyes. Ne shpresuam se në demokraci do ta dilnim nga barbaria e arsyes për të ngjallur shpirtin kritik, siç e kërkon filozofia, por ramë në një barbari të re të opinionit. Në vend që të dilnim nga apatia mendore, ne ende nuk po dalin nga “kaosi i unit shoqëror”, siç shprehej dikur Niçja. Shkurt, ka ardhur koha që të vendosim rregull në unin tonë shoqëror, me qëllim që të mos mbetemi viktima të mediokritetit dhe sharlatanizmit. Të gjitha kombet e qytetëruara e kanë filluar zhvillimin përmes një ripërtëritje shpirtërore. Ne po jetojmë në kohën e vdekjes së ideve të mëdha dhe ku shqetësimi kryesor i njerëzve është puna, kënaqësitë dhe si të kalohet koha e lirë. Por, me çështjen e kënaqësive shtrohet edhe problemi i masës, ose përkorjes, në kuptimin Aristotelian të termit: “Masa është virtyti që përbën të mesmen e drejtë në raport me kënaqësitë”. Kënaqësia që bën fjalë Aristoteli janë kënaqësitë e trupit dhe të shqisave. Dhe në fakt, për çfarë shqetësohen njerëzit në ditë tona; a kanë ngrënë shumë ushqim, dhjamë, mish apo produkte qumështi? A kanë bërë mjaftueshëm sport? A kanë pirë shumë alkool? A duhet ta ndërpresin duhanin? Madje edhe jeta seksuale konsiderohet nga pikëpamja higjenike, domethënë a kanë një jetë seksuale aktive? Këto probleme, që lidhen me konsumin, konsiderohen si thelbësore, por në fakt, kjo është një shenjë e dekadencës mendore. Po për lartësimin shpirtëror të njeriut, a flet dikush? Në këtë kuptim situata e filozofisë është mjaft delikate dhe në gjendje kritike, ndërkohë që Hyserli thoshte se një qytetërim i denjë nuk mund të kuptohet pa filozofinë dhe profesionin e filozofit. Këtë gjendje e vështirëson edhe mendimi i zakonshëm që thotë se përse na duhet filozofia kur kemi shkencat? Pse kanë dështuar dhe po dështojnë përpjekjet për të krijuar një shoqëri demokratike? Pse nuk po arrihen të bashkohen liria me drejtësinë? Përgjigjja është një dhe vetëm një; nuk kemi bërë një ripërtëritje shpirtërore dhe intelektuale, siç ka ndodhur në historinë e popujve të qytetëruar europianë, drejt së cilës synojmë. Sot flitet për ndryshime kushtetuese dhe institucionale, ndryshimet e kodit zgjedhor etj., flitet për reforma të institucioneve politike, por harrohet realiteti shqiptar.
Pasioni, entusiazmi nuk janë efikas pa mendim. Sipas tij i pari urdhër i ligjit njerëzor është të mësojë, të mendojë, i dyti është të bëjë gjithçka ka menduar. «I përsëris rinisë së re të vendit tonë të hapë sytë, të mendojë, të kullojë gjykimin dhe të veprojë. I përsëris rinisë së rilindjes sonë kombëtare se asnjë ideal i bukur nuk qe shërbyer prej paralitikëve, memecëve, shurdhëve, të dehurve, qorrave e të çmendurve ».
Cili është ky realitet?
Në ç’raport është me historinë e afërt dhe të largët? Cili është roli ynë në rajon dhe në Europë? A mund të flitet për një shpirt shqiptar? Në esenë e famshme mbi kombin Ernest Renan fliste për kombin si një shpirt dhe jo thjesht territor dhe kufij. Ashtu si në filozofinë stoike ku çdo njeri duhet të luajë një rol, edhe çdo komb duhet të luajë rolin e tij në fatin e botës. Mund të më kundërshtojnë, siç edhe ka zënë vend në mendësinë tonë, se Shqipëria e vogël nuk ka se ç’rol të luajë në fatin e botës, por të paktën të mendojë për fatin e shqiptarëve pas natës totalitare. Kur sistemet e refuzojnë lirinë, atëherë vijnë periudhat e katastrofave. Ndoshta, Niçja e kishte parashikuar këtë kohë kur shkruante : « Utopia », « njeriu ideal », hyjnizimi i natyrës, vaniteti i vënies në skenë të vetë personit tënd, varësia ndaj propagandës sociale, sharlatanizmi – kjo është ajo që na dha shekulli i XIX ». Niçja parashikoi jo vetëm sharlatanizmin, por edhe kameleonizmin e njeriut modern. Sikur Niçja ta shikonte se çfarë forma ka marrë kameleonizmi në shoqërinë tonë post-totalitare, ndoshta do të mbyllej vetë në çmendinë. Sipas tij, ata që hiqen si interesantë futen në kategorinë e kameleonëve, pasi « ata nuk janë në kontradiktë me vetveten, ata janë të lumtur dhe të sigurtë, por ata nuk kanë aspak zhvillim, gjendjet e tyre shpirtërore ndodhen njera pranë tjetrës, megjithëse të ndara shtatë herë. Ata ndryshojnë, ata nuk evolojnë drejtë një të bëri… ».
Në kohë tranzicionesh kategoria e kameleonëve, që fliste Niçja shtohen.
Prandaj reflektimi ndaj të kaluarës ka rëndësi themelore në kuptimin e shpirtit të kohës, sepse, siç shkruante mendimtari gjerman Troelsh, « Të analizosh dhe të kapësh atë që përbën esencën shpirtërore të një epoke, ja detyra për të cilën konkurojnë historiani, përmes investigimit kritik të fakteve, dhe filozofi, përmes imagjinatës së tij teorike – detyrë përmes së cilës historiani bëhet filozof dhe filozofi historian. Historiani gjen aty fundin dhe arritjen e një kërkimi se si formohen konfigurimet e mëdha historike; filozofi gjen më shumë bazën dhe presupozimet që i mundësojnë për të krijuar normat dhe gjykimet vlerore, me ndihmën e të cilave i duhet të vlerësojë në mënyrë të përhershme realizimet e një epoke». Kjo detyrë na imponohet edhe ne tani për të kuptuar shpirtin e kohës sonë. Shpesh dëgjohet se e kaluara duhet të harrohet për të parë nga e ardhmja. Në fakt e kaluara duhet menduar për të kuptuar se çfarë lloj njerëzish jemi. Për shoqëritë që dalin nga totalitarizmi kjo është një detyrë themelore, me qëllim që njerëzit të mos vazhdojnë të mbeten viktima të mashtrimit dhe iluzionit. “Një nga zbulimet e qeverisë totalitare, shkruante Hanah Arendt, ka qenë metoda që konsistonte në gërmimin e vrimave të mëdha ku varrosnin faktet dhe ngjarjet që nuk mund të flitet, ndërmarrje e gjerë që mund të realizohej vetëm duke vrarë miljona njerëz, që kishin qenë aktorë ose dëshmimtarë të të kaluarës. E kaluara ishte e dënuar sikur nuk kishte ekzistuar kurrë”. Nuk duhet të harrojmë se totalitarizmi, kudo ku u realizua, përfshirë dhe Shqipërinë, duhet të konsiderohet si i vetmi rrezik i madh që kërcënon me rrënim total jo vetëm entitetin tonë politik, por edhe mbijetesën shpirtërore dhe substancën tonë morale.
Kur sistemet e refuzojnë lirinë, atëherë vijnë periudhat e katastrofave. Ndoshta, Niçja e kishte parashikuar këtë kohë kur shkruante : « Utopia », « njeriu ideal », hyjnizimi i natyrës, vaniteti i vënies në skenë të vetë personit tënd, varësia ndaj propagandës sociale, sharlatanizmi – kjo është ajo që na dha shekulli i XIX ».
Në këto vite tranzicioni, a u mendua për një ripërtëritje morale dhe intelektuale të shqiptarëve ?
Historia e kombeve të civilizuara fillon me një ripërtëritje morale dhe intelektuale. Njeriu që prostituon me idetë dhe nuk ka një mision shket në mediokritet. Të ashtuquajtur burra shteti në historinë tonë moderne dhe të këtij tranzicioni të zgjatur, na janë paraqitur si fëmijë. Ata, me një lehtësi morale, arritën që të shkatërrojnë gjithçka. Drejtuesit tanë, në mënyrë naive ose jo, menduan se me një kushtetutë të mirë republikane dhe një kod zgjedhor mund të ngrihej një shoqëri demokratike. Tokëvili e kishte kritikuar këtë iluzion, në veprën Demokracia në Amerikë, kur kritikoi utopizmin e revolucionarëve meksikanë, të cilët menduan se duke përkthyer kushtetutën amerikane do të bëheshin si amerikanët, por harruan se duke marrë gërmën e kushtetutës, nuk mund të merrnin dot shpirtin amerikan. Edhe ne duke marrë gërmën e të drejtës europiane, nuk mund të marrim dot shpirtin europian. Edhe neoshqiptarizmi, tek ne, e kritikoi këtë mendësi duke theksuar dy gjëra e para, ne duhej të merrnim shpirtin europian dhe, së dyti, Europa duhej marrë e plotë dhe jo mballoma, mballoma, siç u përshtatej drejtuesve të momentit (Branko Merxhani). Jo më kot Gjergj Fishta, pas pavarësisë së Shqipërisë, lëshoi thirrjen se tani që bëmë Shqipërinë, hajt të bëjmë shqiptarët! Detyrë që edhe sot mbetet e parealizuar dhe që na bën të lëngojmë edhe sot në detyrën për të pajtuar lirinë me drejtësinë. Kjo është arsyeja që drejtuesit tanë, në këtë periudhë tranzicioni, e shpunë Shqipërinë në atë shkallë rënieje ku arrin çdo shoqëri që heq dorë nga synimet e larta. Sigurisht, mund të ndalesha te historia e mendimit filozofik, apo shqetësimet e neoshqiptarizmit, për të argumentuar rëndësinë e një ripërtëritje shpirtërore, por do të sjell disa ide nga studimi i Prof. Isuf Luzaj, « Rindërtimi i fuqive shpirtërore », të cilin rrethanat fatlume më bënë ta njoh që në dorëshkrim dhe ta përgatisja për botim. Mesa duket, Niçja kishte pasur shumë të drejtë kur shkruante se vetëm të ngjashmit mund t’i kuptojnë të ngjashmit. Që në parathënie ai e konsideron këtë studim si një mesazh për rininë e shek. XXI, duke shpresuar se do të ishin shuar « të gjitha presionet politike, hakmarrjet, dogmatikët dhe karrieristët, që ndryshkin sot shpirtin e popullit tonë, si trashëgime të epokës së tmerrit », pasi « diktaturat kanë ngulur në shpirtin e shqiptarit një stivë dogmash që, sa më shumë kalben, aq më shumë dëmtojnë, sepse krijojnë në mentalitetin tonë fara, mikrobe, bacile e viruse, që sëmurin shpirtin tonë ». Moraliteti dhe shkenca mund të na sjellin njeriun mendonjës (Branko Merxhani, thoshte se duhet të krijojmë « Shqipërinë mendonjëse »), që këtej njeriun ndërtonjës dhe që këtej njeriun moral, na thotë Luzaj. Sipas tij, fuqitë shpirtërore nuk janë virtyte katalogu, siç i gjejmë rëndom sot në botimet dhe aktivitetet e OJF, por janë moralitet i gjallë. Shqipëria pas viteve ’90, në vend që të bëhej më e mirë, u bë më shumë materialiste, dhe kjo ka shpjegimet e veta, po mëtej, a mund të vazhdohej vetëm drejt konfortit material ? Tokëvili kishte paralajmëruar se në qoftë se motivi nxitës i një shoqërie do të ishte shpirti i përfitimit, atëherë kjo shoqëri do të përballet me probleme të mëdha në të ardhmen.
Optimizmi i Luzajt për gjenerata e reja nuk gjen konfirmim në realitetin e sotëm.
Ai mendonte se « Krizat e mëdha i paraqesin mundësi të shumta brezit të pahelmuar, sepse nisin në njerëzim një reformë të zjarrtë etike, ideologjike, institucionale. Një ndërgjgje e re historike vjen në botë dhe ndryshon vlerat tradicionale të DREJTËSISË, të së DREJTËS, të KULTURËS ». Cili është ideali i rinisë sot ? Komoditeti dhe argëtimi dhe pastaj habitemi pse shtohen dhuna, vrasjet, egërsia në komunikim dhe varfëria mendore. Luzaj paralajmëron rrezikun : « Kur një gjeneratë i mbyll krahët në të tashmen, nuk është rini, vuan nga pleqëria e parakohshme. Kur fluturon drejt të shkuarës është duke agonizuar, më keq akoma, ka lindur e vdekur ». Përveç dijes duhet edhe entusiazmi. Dikur Hegeli thoshte se gjërat e mëdha nuk bëhen pa pasion. I mbrujtur me filozofinë që e mësoi në Sorbonë, Luzaj e paralajmëron rininë për pasojat e apatisë intelektuale dhe morale. « Prej të rinjsh pa BESIM (këtu ai nuk ka parasysh vetëm besimin fetar, Gj.S.), formohen kurtizanë-oborrtarë, që lypin favore nëpër antisalla e sallone pritjeje, formohen retorikë që gllamarisin fjalë pa idera, abulikë që e gjykojnë jetën pa e jetuar, parazitë fatkeqë që zbehen me rrënjë sipër theut; vlera negative që vënë gurë në të gjitha rrugët për ta ndaluar që të mos shkojnë të tjerët atje ku ata nuk mund të shkojnë ». Sikur Luzaj të shikonte se si sot të rinjtë shikojnë shefat e partive, si u servilosen, si i lajkatojë, ai do kthehej përmbys në varrin e tij në Kaninë. Pasioni, entusiazmi nuk janë efikas pa mendim. Sipas tij i pari urdhër i ligjit njerëzor është të mësojë të mendojë, i dyti është të bëjë gjithçka ka menduar. «I përsëris rinisë së re të vendit tonë të hapë sytë, të mendojë, të kullojë gjykimin dhe të veprojë. I përsëris rinisë së rilindjes sonë kombëtare se asnjë ideal i bukur nuk qe shërbyer prej paralitikëve, memecëve, shurdhëve, të dehurve, qorrave e të çmendurve ». Mendimi, inisiativa, por sigurisht, pa ideale nuk mund të ketë inisiativë, energjizmi, liria në mendim dhe veprim, këto na duhen për të ndërtuar një shoqëri të denjë. Këto krijojnë dinjitetin, personalitetin, dhe respektin për punën. Me interes dhe tepër aktuale janë disa ide që i gjejmë në sythin mbi armiqtë e drejtësisë. Padrejtësia buron nga privilegjet e padrejta. Jo rastësisht fjalën « privilegj i padrejtë » ai e shkruan me gërma kapitale: « ÇDO PRIVILEGJ I PADREJTË shkakton një subversion imoral të vlerave shoqërore. Në shoqëritë e mbuluara me padrejtësi njerëzit humbasin ndjenjën e detyrës dhe largohen prej virtytit».
Historiani gjen aty fundin dhe arritjen e një kërkimi se si formohen konfigurimet e mëdha historike; filozofi gjen më shumë bazën dhe presupozimet që i mundësojnë për të krijuar normat dhe gjykimet vlerore, me ndihmën e të cilave i duhet të vlerësojë në mënyrë të përhershme realizimet e një epoke».
Ekuilibri ndërmjet moralit dhe vërtetësisë është drejtësia.
Drejtësia është guri themeltar i shoqërisë civile, shkruante dikur Shën Agustini. Duke qenë i mbrujtur me kulturën filozofike, por edhe duke u bazuar në eksperiencën e pasur jetësore, ai e di se përsosmëria shoqërore nuk mund të arrihet pa drejtësinë në marrëdhëniet midis njerëzve. Sa shumë flitet te ne për drejtësinë dhe atë nuk e shohim gjëkundi ! Pse ? Sepse nuk është ndërtuar një komunitet moral. Sepse nuk është realizuar ripërtëritja morale dhe intelektuale. Pasojat e një rendi të padrejtë ne i provuam dhe po i provojmë. Por është edhe një pasojë tjetër : « Njerëzit refuzojnë të punojnë e të studjojnë, kur shohin që shoqëria i mbulon me privilegje përtacët e injorantët. Dhe është për mungesë drejtësie, që shtetet konvertohen në konfabulacione të favorizuarish e sharlatanësh që janë gati të pasurohen në kurriz të shtetit, porse të paaftë që ta nderojnë atdhenë me vepra të denja. Shih historinë e viteve 1945-1990 të shoqërive marksiste ». Elozhet e tij për drejtësinë marrin formën e betimit të Krishtit në mal : « Lëvduar qofshin të rinjtë që do të punojnë për një drejtësi shoqërore e liri politike, që ngrenë flamurin e drejtësisë për të shtuar në botë ekuilibrin mes mirëqenies dhe punës… Lëvduar qofshin ata që konceptojnë ligje mbi të gjitha ligjet, DREJTËSI SHOQËRORE, ata që konceptojnë më shumë drejtësi ; ata që për atë punojnë ; ata që për atë luftojnë, ata që për atë vdesin ». Një pasojë tjetër fatale nga mungesa e drejtësisa është mungesa e solidaritetit, pasi « solidariteti është harmoni që del nga drejtësia ». Ai e di se pabarazitë nuk mund të zhduken, siç premtoi komunizmi, prandaj solidariteti konsiston në të ekuilibruarit e pabarazive, duke krijuar barazinë përpara të drejtës, me qëllim që të gjitha pabarazitë të mund të zhvillohen tërësisht në përfitim të shoqërisë. Për të thelbësore është liria e individit. Ai duhet të jetë i lirë përpara mundësive. Parimi liberal shprehet shumë bukur nga Luzaj : « Kur i shkatërrohet një njeriu udha e të gjitha mundësive, ka padrejtësi në atë shtet, komb, qeveri, atdhe e vend ». Ilustrimi. Sot mjafton të lexohen denoncimet mbi pabarazinë dhe korrupsionin në tenderat.(Nga Gazeta Telegraf)///
ME SHUME LAJME
Sot 5 maji, Dita e Dëshmorëve
“Chase Travel”: Riviera Shqiptare, destinacioni më “hot” i verës 2026
Lumi Vjosa, rritet interesi për rafting gjatë sezonit pranveror