Në qarkun e Vlorës vijojnë ndërhyrjet për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura, veçanërisht në zonat e Sarandës, Delvinës dhe Konispolit.
Deputeti i Vlorës, Ardit Bido, deklaroi për ATSH-në se, në Sarandë po vijon puna për riparimin e argjinaturës së Bistricës së Madhe, e cila është dëmtuar duke shkaktuar përmbytje në fushën e Çukës deri në liqenin e Butrintit, përfshirë edhe hidrovorin e zonës.
“Punimet janë në proces dhe parashikohet që riparimi të kërkojë rreth një javë”, u shpreh Bido.
Ai informoi gjithashtu se janë evakuar bagëtitë e një stani, ndërsa janë raportuar dëme në blegtori.
Në Delvinë, reshjet kanë shkaktuar dëmtime në disa fshatra të zonës. Sipas tij, Forcat e Xhenios po punojnë për të rikthyer qarkullimin në akset që lidhin Lefterhorin, Rusanin, Vllahatin, Kakodhiqin dhe zonat përreth.
Ndërkohë, theksoi ai, në Konispol ka nisur të përmirësohet situata në terren.
“Ujërat janë tërhequr nga fshati Vrin dhe hidrovori është vënë në funksion të plotë për të vijuar me pastrimin e fushës së përmbytur”, deklaroi Bido.
Ai siguroi se autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në zonat e prekura.(Arlinda GJONAJ)///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Bie çatia e objektit në ndërtim te Porti i Limionit. Një 44-vjeçar plagoset rëndë.E nisin me helikopter në Tiranë
Himarë. Zjarr në Llamanë, 17 efektivë zjarrfikës në terren
Policia e Vlorës: 254 vepra penale të evidentuara në qershor, masa të shtuara për sezonin turistik