Në Tiranë ka vijuar edhe sot, në ditën e 75-të, protesta e qytetarëve, e cila nisi si kundërshtim ndaj investimit në Zvërnec dhe më pas u zgjerua me kërkesa për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe duke ngritur njëkohësisht shqetësime të tjera lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Një qytetare, pjesëmarrëse në protestë, u ndal te çmimet e larta dhe kostoja e shtrenjtë e jetesës, ndërsa pagat dhe pensionet, sipas saj janë të ulta.
“Ju bëj thirrje nënave të ngrihen dhe të flasin. Prindërit na kanë dhënë shumë vlera, por nuk na kanë mësuar të ngrihemi ndaj pushtetit. Sot dua t’i jap një shembull fëmijëve që të ngrihen edhe ndaj pushtetit”, u shpreh ajo.
Një tjetër qytetar, i ardhur nga diaspora, u ndal te prodhimi i makinave “Made in Albania” për ushtrinë shqiptare.
“Vij nga diaspora në protestë. Kryeministri thotë se bëjmë makina, por nuk na duhen kur nuk kemi ushtri. Jemi shumë dobët me ushtrinë”, tha ai.
Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.
Pas fjalimeve të rastit, protestuesit vijuan me marshinin e përnatshëm. (Ermira ISUFAJ)












/
ME SHUME LAJME
Sarandë. Finalizohet operacioni policor “Vjeshta” kundër narkotrafikut, ndalohen 20 shtetas.
SARANDA MIRËPRET PANAIRIN E 14-t MBARËKOMBËTAR TË SUVENIREVE MIQËSORE ME MJEDISN –
Pushteti nuk merret me vezë, por me vota