Samiti BE-Ballkani Perëndimor që do të mblidhet në 6 dhjetor në Tiranë, është samiti i parë i këtij lloji që zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Samiti është pjesë e zbatimit të Axhendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024, si dhe konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së.
Sipas axhendës zyrtare të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian, ndër temat kryesore të diskutimit do të jenë: trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës; intensifikimi i angazhimit politik; përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja duke adresuar sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Liderët pritet të bëjnë një deklaratë në fund të samitit.
Konkretisht, udhëheqësit do të diskutojnë mundësitë e bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta që rrjedhin nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Ata do të shqyrtojnë më konkretisht efektet e tij negative në sektorët e energjisë dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor. Temë e diskutimeve do të jenë përgjigja e BE-së ndaj pushtimit rus të Ukrainës, si dhe siguria e ushqimit dhe aftësia për ta përballuar atë.
Po ashtu, udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë mënyrat e thellimit të angazhimit politik me një fokus të veçantë te të rinjtë. Ata gjithashtu do të bëjnë vlerësimin e progresit në: integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së; modernizimin e sistemeve të tyre të pagesave në përputhje me standardet e BE-së në fushën digjitale; zbatimin e Rrugëve të Gjelbërta BE-Ballkani Perëndimor.
Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Kjo përfshin luftimin e manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike. Udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi numri i migrimeve të Ballkanit Perëndimor është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.
Ata do të diskutojnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit dhe parandalimit të radikalizimit. Samiti i fundit midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo pri Kranju në tetor 2021. Ai u organizua nga Presidenca Sllovene e Këshillit.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI