Veteranë të luftës së Kosovës dhe mijëra mbështetës të tyre u mblodhën sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në një protestë kundër një gjykate të mbështetur nga Bashkimi Evropian, e cila po ndjek penalisht ish-luftëtarët që morën pjesë në luftën e viteve 1998–1999 për pavarësinë nga Serbia, duke pretenduar se gjykata është e njëanshme dhe e padrejtë, sipas AP.
Protesta u organizua nga shoqata e veteranëve të njohur si “OVL-UÇK”, me mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit të Shqipërisë, nën moton: “Liria ka një emër. Drejtësi për çlirimtarët”.
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit , Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim që nga viti 2020 dhe po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës, një gjykatë e mbështetur nga BE-ja me seli në Hagë, Holandë.
Ata akuzohen për “vrasje, tortura dhe persekutim të civilëve” gjatë dhe pas luftës.
Një poster i madh me fotot e tyre dhe me mbishkrimin “Heronjtë e luftës dhe të paqes”*ishte varur pas podiumit të protestës.
“Shqiptarët nuk i besojnë Dhomave të Specializuara. Proceset në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta,” deklaroi Hysni Gucati, kreu i “OVL-UÇK”-së.
Edhe ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu, 95 vjeç, mori pjesë në protestë, duke kërkuar drejtësi dhe duke thënë se të akuzuarit “janë mbajtur në burg pa prova, mbi akuza të fabrikuara”.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore.
Gjykata dhe zyra përkatëse e prokurorisë u krijuan pas një raporti të Këshillit të Evropës në vitin 2011, ku përfshiheshin akuza se luftëtarë të UÇK-së kishin tregtuar organe njerëzore të marra nga të burgosurit dhe kishin vrarë serbë dhe shqiptarë etnikë.
Megjithatë, akuzat për trafikim organesh nuk janë përfshirë në aktakuzat e gjykatës.
Dy ish-anëtarë të tjerë të UÇK-së janë dënuar tashmë nga kjo gjykatë.
Vetë Gucati dhe një tjetër zyrtar i UÇK-së janë shpallur fajtorë për “ndikim te dëshmitarët dhe pengim të drejtësisë”.
Rreth 11.400 persona, kryesisht shqiptarë etnikë, humbën jetën gjatë luftës, përpara se një fushatë bombardimesh e NATO-s të detyronte Serbinë të tërhiqte trupat e saj nga Kosova dhe t’ia dorëzonte administrimin Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, e njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve perëndimore, por jo nga Serbia dhe aleatët e saj Rusia dhe Kina.
Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta. (Admir ABULE).///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI