Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime sot për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, Nasho Jorgaqi.
Përkthyesi, skenaristi, hulumtuesi dhe studiuesi shqiptar u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 91-vjeçare.Mjeshtri i Madh la pas një krijimtari të pasur e të vyer në letërsi, kinematorgrafi si dhe një sërë botimesh shkencore.Kjo trashëgimi do të mbetet një pike reference për studiuesit, studentët e gjithë brezat e ardhshëm.
Nasho Jorgaqi lindi në vitin 1931 në Fier. Kreu studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës (1955). Punoi si përgjegjës redaksie në Sh.B. “Naim Frashëri” (1955–1962), sekretar kolegjiumi i gazetës “Drita” (1962–1967); pedagog dhe përgjegjës i katedrës së letërsisë shqiptare në UT (1970–1993). Proza e shkurtër, novelat e tregimet e tij karakterizohen nga lirizmi dhe një shpalosje ndjenjash të holla njerëzore brenda një kornize përgjithësisht realiste.
Pas novelës “Dashuria e Mimozës” (1960), botoi përmbledhjet me novela e tregime “Ëndrra dhe plagë” (1963), “Manastiri i dashurisë” (1995), “Shpirti i magjepsur” (2000) etj., si dhe romanin me dy vëll. “Mërgata e qyqeve” (1978, 1979). Ka lëvruar edhe letërsinë dokumentare si biograf me veprat “Qemal Stafa” (1970), “Atentatori i peran-dorit” (1980) dhe si autor udhëpërshkri-mesh me librat “Larg dhe afër” (1978), “Udhëtim me Fan Nolin” (1995) etj. Vend të veçantë në serinë e veprave biografike zë libri në dy vëllime “Jeta e Fan S. Nolit” (2005).Në fushën e studimeve letrare është marrë kryesisht me probleme të letërsisë shqiptare midis dy luftërave botërore dhe me letërsinë arbëreshe, duke u përqendruar në autorë si F. Noli, F. Konica etj. Ka botuar librat: “Silueta letrare” (1976), “Antologjia e mendimit estetik shqiptar 1504–1944” (1979), “Poetika e dokumentit” (1987), “Estetika e fjalës shqipe” (1996), “Profile dhe probleme letrare” (2008) etj.
Gjithashtu, Nasho Jorgaqi është autor i disa veprave të konceptuara si udhëtime letrare në kërkim të figurave të njohura si Fan Noli, Naim Frashëri, De Rada, Zef Serembe etj., si dhe i disa skenarëve të filmave artistikë e dokumentarë dhe i disa librave për fëmijë.Mban Urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe Çmimin e Republikës të shkallës së parë.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI