Nga Spiro Th.LASKA
E kujtoj mësues Minellon me shumë dashuri, respekt dhe mirënjohje, i ardhur nga minoriteti i Dropullit e që u lidh aq shumë me Piqerasin, piqerasiotët, shkollën dhe nxënësit, duke dhënë maksimumin e mundshëm, tek të gjithë brezat e nxënësve që kaloi.
Kishte një trup të mbushur, pak më i shkurtër se mesatarja, me fytyrë të rrumbullaktë, i rruar çdo mëngjes, me një veshje që binte në sy për përkujdesjen që tregonte, e mbi të gjitha me këpucët që i mbante gjithmonë të llustruara. Ai reflektonte gjithmonë një ekuilibër të mirë midis punës, marrëdhënieve personale dhe kujdesit për veten. Aktivist në fshat, aktivist në shkollë, dhe i përkushtuar veçanërisht me një ndërgjegje të lartë në mësimdhënie. Suksesin e tij ai e shikonte tek përmbushja profesionale, në përpjekje të vazhdueshme për të dhënë më të mirën.
E shikonte shkollën jo thjesht si mësimdhënie, por si mision që shkolla të udhëhiqej nga disa parime themelore si drejtësia, paanshmëria e trajtimit, ndershmëria, liria, barazia.
E sjell në kujtes gjithmon me atë zërin e lartë, që gërmën “ll” nuk arriti ta shqiptonte asnjëherë të saktë: “vre budala”, “vre kungul”. Sharjet e tij nuk tingullonin asnjëherë të tilla, ato ishin sharje të ëmbëlsuara, përkëdhelje që dilnin nga zëmra e bardhë e tij. Zëmra e tij nuk kishte asnjë cep, qoftë dhe në pjesët më fundore të saj ndonjë nuancë ligësie. Ato ishin më shumë se prindërore, pse jo dhe hyjnore. Brenda tij ekzistonte drita hyjnore, që quhet ndërgjegje.
⁎⁎⁎
Në klasën e pestë mësues Minella na jepte lëndën e gjeografisë dhe historisë, e shumë gjëra më kanë ngelur të memorizuar në kujtesë nga mënyra e shpjegimit. Entusiazmi që tregonte për lëndët nëpërmjet shprehjes së fytyrës, lëvizjeve të duarve dhe tonacionit të zërit, e mbante gjithmonë të përqëndruar vëmendjen tonë.
Ai nuk dinte të bënte një mësim dhe edukim të varfër, thjesht të merrej vetëm me transmetimin e dijeve informative dhe të linte mënjanë pyetjen e madhe rreth të së vërtetës, të asaj të vërtete që nesër mund të ishte udhëheqje në jetë. Punën e mësuesit e shikonte gjithmonë si një mision që kërkonte përkushtim dhe jo si një vend punësimi për të marr një rrogë.
Për mjete didaktike në atë kohë as që mund të flitej. Kishim tekstet që ishin bardhezi, dy lloj fletoresh: me vija dhe kuadrate si dhe shishen e bojës të cilin e vendonim mbi bangë që nganjëherë na binte në dysheme dhe thyej, penën që shumë herë i shtrëmbërohej maja dhe një laps plumbi për lëndën e vizatimit.
Për të mësuar anët e horizontit në lëndën e gjeografisë, një ditë na çoi tek “Sheshi i Konde”, na vuri me fytyrë nga veriu dhe na shpjegoi se nga e djathta kemi lindjen, nga e majta kemi perëndimin dhe mbrapa kemi jugun, dhe për të shpjeguar se si mund të gjejim veriun pa busull, nuk la pemë për të na treguar se zhvillimi i degëve të pemëve ishte më i madh nga jugu, po ashtu dhe zhvillimi i myshkut. Tek pemët e prera, na spjegonte se nëpërmjet rrathëve të trungut mund të gjejmë veriun, duke arsyetuar dhe fenomenin e stampimit në trung.
Në lëndën e historisë ai nuk mjaftohej vetëm me ato që kishte teksti. Ai merrte me vete disa libra voluminozë me kapak të trashë, të shkruara në gjuhën greke, ku na tregonte për Perënditë, Homerin, Kalin e Trojës, filozofët e antikitetit, të cilat na i ilustronte edhe me figura nga libri. Një ditë tregoi një skulpturë nudo dhe ne filluam të qeshnim si klasë. E kuptoi dhe me një zë të qetë na shpjegoi, se nuk ishte ashtu siç e keqkuptuam ne, pasi atje ishte një gjethe lisi që kishte mbuluar atë për të cilën kishim qeshur.
Të nisur nga zilia, zhelozia apo smira, dikush me ndërgjegje të fjetur, të bllokuar apo të vdekur, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e “të gjallëve të vdekur”, i kujtoi si kalimthi mësues Minellos, se ai e kishte bërë shkollën në Greqi, bile kishte dhe libra greqisht. Mësues Minella ja kishte pohuar këtë me një ndjenjë krenarie, por duke parë shtrëmbërimin e fytyrës së tij filloi të meditonte me veten. “Mos ndoshta nuk jam i përshtatshëm për mësues, mos nuk ecij me ideologjinë e kohës, mos mendojnë se u propagandoj nxënësve ideologjinë mikroborgjeze të monarko-fashistëve grek?”
Një fjalë e thënë kalimthi, atë e vuri në mendime dhe pagjumësi. E dinte se ai njeri ishte i rrezikshëm dhe shoqërohej shpesh me operativin e zonës, e i përkiste racës së të pacipëve, e që gjeneronte një klimë tmerri, për të cilën ai krenohej. Ishte koha e informimit verbal, ku dhe fuqia e të pa pushtetshëmve të bënte gjëmën me një fjalë, një telefon, ose me një pusullë.
Për një farë kohe mësues Minella e humbi optimizmin, besimi për të nesërmen dhe i futur në mendime filloi të tregohej më i kujdesshëm, por pa neglizhuar në punën e tij të mësuesisë. Ndoshta kjo ka qënë koha që ai e ndërroi mbiemrin nga Paskopulli në Pasko.
⁎⁎⁎
Mbaja në çantë një vizore druri gjysëm metroshe. Për vizore plastike në atë kohë nuk mund të bëhej fjalë. Sa fillonte mësimi, pas apelit, puna e parë që bënte mësues Minella, pasi kishte ngritur njërin nga ne në dërrasën e zezë, ishte të kishte vizoren time në dorë. Edhe ndonjëherë që unë mund ta kisha harruar në shtëpi, ai do më dërgonte për ta marr. Ajo ishte si një shpatë, që në duart e tij fringëllinte për të korigjuar gabimet.
“Jo djali, ngatërove radhën”. Vizorja vihej në gatishmëri dhe qëllonte gjithmon në tule nga pjesa e saj e sheshtë. Kjo goditje ngjante si ajo pëllëmba e gjyshes që merrte forcë të madhe, sikur do të shëmbej dynjaja dhe përfundonte me peshën e puplës kur bie në tokë, mbi tulet e nipit apo mbesës kur bënte ndonjë gabim.
Kishte një metodikë të shkëlqyer shpjegimi, që të mbante jo vetëm në tension gjatë gjithë orës, por ato që thoshte ishin të destinuara të memorizoheshin në tru dhe të mos dilnin më. Matematika, megjithëse ishte një lëndë e vështirë, në gojën e Minellos, për ne që ishim në klasën e shtatë, ishte bërë lënda më e dashur.
Klasa e shtatë për ne ishte një vit angazhimi i plotë, pasi kërkojim të dilnim me nota sa më të mira, pasi pas kësaj do kërkonim të drejtën për të vazhduar shkollën e mesme. Këtë angazhim e kishte edhe mësues Minellua dhe shpesh na thoshte: “Nuk dua të më turpuroni kur të shkoni në shkollë të mesme, mund t’jua fal po të uleni një notë nga ajo që u kam vlerësuar unë, por më poshtë jo”. Ai i ndiqte ish nxënësit e tij që vazhdonin shkollën e mesme dhe bënte krahasimin e notave. Kënaqej kur shikonte përparimin e tyre, e cila ishte dhe një burim frymëzimi dhe kënaqësie për të, për përkushtimin që kishte treguar dhe tregonte.
Një bashkënxënësi jonë, që ndjente vështirësi në matematikë, i lutej vazhdimisht mësues Minellos. “Aman mësues! Më vendosni një tresh që të vazhdoj dhe unë shkollën e mesme, të premtoj se do të mësoj shumë dhe nuk do të turpuroj, të betohem”. Pas shumë lutjesh, por dhe me një punë titanike të tij ai e meritoi treshin.
Fati e solli që të ishim bashkë në shkollën e mesme. Profesori i matematikës, që në orën e parë, mblodhi gjithë klasat e para në një sallë të madhe dhe na bëri provim me shkrim, për të parë nivelin e nxënësve që kishin ardhur nga rrethet e ndryshme, për lëndën e matematikës. Kur morrëm rezultatet, por edhe më mbrapa gjatë ecurisë tonë deri në Universitet, unë pashë tek vetja, themelet e forta që kishte ndërtuar tek ne mësues Minellua. Ne nga ai morrëm jo vetëm bazat e matematikës, por dhe virtutet, këmbnguljen, vullnetin, dhe zëmrën e pastër të tij. Deri në një farë mase, jashtë vullnetit tonë, ne kishim filluar ta imitojim atë, të ishim pjesë e tij.
Shoku im që i kërkonte treshin mësues Minellos, jo vetëm që mbaroi shkollën e mesme, por mbaroi dhe me nota të mira. Pas një pune këmbngulëse, matematikën ai e nxori me notën katër (ishte sistemi i notave me pesë) dhe krenohej vazhdimisht me mësues Minellon.
⁎⁎⁎
Është ndërgjegjja, ajo që mban gjall njerëzillëkun, e që çon në piedestal njeriun, e s’e lë atë të rrokulliset në humnerën e turpit. Ajo kërkon dhe bënë një luftë me të gjitha fuqitë negative, me forcat që duan të prishin rendin, e mbi të gjitha luftën me vetveten. Kërkon dhe bënë luftë kundër kulturës së manipulimit të së vërtetës, e cila prodhon të vërteta dhe të pavërteta, duke krijuar tipin e njeriut konformist që gënjen dhe vetë vetveten.
E kërkoj vazhdimisht këtë ndërgjegje, çiltërsi, pastërti që sot më del e mjegulluar, e shfytyruar, e ndryshuar, por prap them që nuk kam të drejt, ndoshta është nostalgjia, malli, që më mjegullon mëndjen dhe sytë. Por prap më fanitet dialogu “më vendos një tresh që të kaloj”. “Jo, se ti do më turpurosh kur të shkosh në shkollën e mesme”. Po sot ata që mbaruan Universitetin pa dhënë asnjë provim, dhe pa kaluar nga shkolla e mesme?”.
Ishin disa vlera të vyera, që sot mendoj se janë rralluar, si përkushtimi, humanizmi, sakrifikimi, dhe ndershmëria në profesion, të cilat i përmbushte mësues Minella./sarandaNews.al///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade
Rregullat për plazhet. Zbardhet kontrata e re, gjoba deri në 400 mijë lekë dhe rastet kur prishet kontrata