SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Bullizmi kibernetik ka krijuar agresivitet te të rinjtë, mbyllja e TikTok mundësi për më shumë ndërveprim në jetën reale

Nga Ermira ISUFAJ

 Vendimi i qeverisë për mbylljen e platformës TikTok, pas konsultimeve publike me stafe pedagogjike dhe prindër në shkolla të ndryshme në të gjithë vendin, ka ngjallur jo pak reagime, nga aktorë të ndryshëm politikë, personazhe publikë dhe jo vetëm. Psikologia Anthi Gjoka, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, thotë se qasja e të rinjve shqiptarë ndaj rrjeteve sociale, si pjesë e një brezi global që janë përdorues të tyre, duhet parë me kujdes.

“Ky interes i madh buron nga faktorë psikologjikë, socialë dhe kulturorë që kanë ndikuar mënyrën se si përjetojnë dhe shfrytëzojnë platformat digjitale. Rrjetet sociale u ofrojnë të rinjve një hapësirë për t’u ndier pjesë e një grupi më të madh. Në një mjedis ku shoqërizimi tradicional mund të kufizohet për shkak të migrimit, ndryshimeve urbane ose izolimit social, këto platforma bëhen një vendstrehim për ndërveprime virtuale. Shumë të rinj e shohin internetin si burim mësimi. Ata ndjekin tutoriale, ndajnë mendime, apo mësojnë rreth temave që u interesojnë në fusha të ndryshme. Kjo u shton orët që kalojnë para pajisjeve teknologjike. Edukimi mbi menaxhimin e kohës dhe përdorimin e shëndetshëm të teknologjisë është çelësi për një balancë më të mirë”, thotë Gjoka.

Psikologia Gjoka kujton rastin e një fëmije që mori seanca të specializuara tek ajo për shkak të varësisë nga interneti dhe rrjetet sociale.

“Kam pasur një rast të ndjeshëm që më ka lënë shumë për të menduar mbi ndikimin e platformave sociale si TikTok dhe Instagram tek fëmijët. Rasti në fjalë lidhej me një fëmijë, i cili gradualisht zhvilloi dëmtime psikologjike për shkak të përdorimit të vazhdueshëm dhe të papërmbajtur të këtyre platformave. Fëmija fillimisht i përdorte këto platforma për argëtim dhe për t’u ndjerë pjesë e shoqërisë së bashkëmoshatarëve. Por me kalimin e kohës, filluan të shfaqeshin shenja shqetësuese. Ai kalonte orë të gjata duke shikuar dhe krijuar video, shpesh duke e ndjerë të nevojshme që të merrte “pëlqime” dhe “ndjekës” për të fituar vlerësim. Presioni për të krijuar përmbajtje “perfekte” ndikoi negativisht te vetëbesimi i tij. Ai ndjente se nuk ishte mjaftueshëm i mirë kur krahasohej me të tjerët. Pas një kohe, fëmija filloi të shfaqte shenja të ankthit dhe tërheqjes sociale. Ai refuzonte të merrte pjesë në aktivitete jashtë ekranit dhe përqendrimi në shkollë u ul ndjeshëm. Bullizmi kibernetik në disa komente të pamatura, krahas standardeve të idealizuara të pamjes fizike që paraqiteshin në platforma, e përkeqësuan edhe më shumë situatën”, tregon në intervistën për ATSH, psikologia Gjoka.

Ky rast, shprehet Gjoka, më tregoi sa i fuqishëm është ndikimi i mediave sociale te fëmijët dhe të rinjtë, veçanërisht kur mungon mbikëqyrja e duhur dhe edukimi mbi përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë. Ishte një kujtesë se ndërveprimi njerëzor, edukimi emocional dhe krijimi i një mjedisi mbështetës janë thelbësore për mirëqenien e fëmijëve tanë.

Prandaj, thekson ajo pasojat e përdorimit dhe qëndrimit gjatë në internet sjellin shumë pasoja te fëmijët dhe të rinjtë.

“Mendoj se qëndrimi i gjatë dhe i pakontrolluar në platforma si TikTok, Instagram apo të tjera ka ndikim të madh tek sjelljet e të rinjve, duke përfshirë krijimin e agresivitetit, bullizmit dhe madje edhe dhunës. Këto platforma, edhe pse janë krijuar për argëtim dhe lidhje shoqërore, shpesh shndërrohen në hapësira që ndikojnë negativisht në sjelljen dhe shëndetin mendor të përdoruesve, sidomos kur bëhet fjalë për moshat e reja. Së pari, anonimiteti që ofrohet nga rrjetet sociale është një faktor kyç. Shumë të rinj ndihen të lirë të shprehin komente të ashpra, fyese ose ngacmuese, pa menduar për pasojat. Ky fenomen, i njohur si bullizëm kibernetik, ka krijuar një mjedis ku agresiviteti shpesh perceptohet si i pranueshëm. Për më tepër, shpërblimi që vjen në formën e pëlqimeve dhe komenteve pozitive për sjelljet e ashpra i motivon edhe më shumë këto veprime”, shton psikologia.

Së dyti, nënvizon ajo, përmbajtjet që shfaqen në këto platforma luajnë një rol të rëndësishëm.

“Disa video promovojnë dhunën, talljet dhe sjelljet agresive si burim argëtimi, duke e normalizuar këtë lloj sjelljeje. Të rinjtë, të cilët janë në fazën e zhvillimit emocional dhe mendor, mund të mos kenë aftësinë për të dalluar mes argëtimit dhe ndikimit negativ që mund të kenë këto sjellje. Si rezultat, ata shpesh imitojnë atë që shohin, duke menduar se është mënyra e duhur për të marrë vëmendje ose për të qenë të pranuar nga grupi. Në përfundim, qëndrimi i gjatë në këto platforma, pa edukim dhe kufizime të shëndetshme, ka potencialin për të nxitur agresivitet, bullizëm dhe sjellje të dhunshme tek të rinjtë. Zgjidhja qëndron te ndërgjegjësimi, edukimi dhe krijimi i hapësirave më të sigurta për komunikim, si online ashtu edhe jashtë saj. Platformat sociale janë thjesht mjete; mënyra si i përdorim ato përcakton nëse ndikimi i tyre do të jetë pozitiv apo negativ”. shprehet Gjoka.

Sipas saj, vendimi duhet të shoqërohet me iniciativa më të gjera edukative për të rritur ndërgjegjësimin e fëmijëve, prindërve dhe mësuesve për përdorimin e shëndetshëm të teknologjisë.

“Mesazhi kryesor për prindërit: Ky vendim mund të jetë një sfidë për fëmijët, por është gjithashtu një mundësi për të përforcuar edukimin rreth përdorimit të përgjegjshëm të teknologjisë dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të forta familjare. Ajo që ka rëndësi është një qasje mbështetëse dhe një komunikim i hapur që ndihmon fëmijët të përshtaten me ndryshimin”, thekson ajo.

Psikologia u drejton një apel edhe të rinjve: “Shiheni mbylljen e TikTok si një shans për të eksploruar aktivitete të reja dhe për t’u shkëputur nga varësia e mundshme ndaj platformës. Përqendrohuni në krijimin e përmbajtjeve offline, si të shkruani, vizatoni, ose të mësoni një aftësi të re. Përfshihuni në aktivitete si sporti, leximi, ose hobi që ju interesojnë. Bashkohuni në klube shoqërore ose merrni pjesë në projekte vullnetare për të ndërtuar lidhje të reja dhe për të zhvilluar aftësi të reja”.///

error: