SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

FOKUS – Izraeli nis sulmet ndaj Iranit, gjendje emergjence në Tel Aviv

 Izraeli ka nisur një sulm “parandalues” ndaj Iranit, duke rindezur përplasjen mes dy vendeve për herë të dytë brenda më pak se një viti, sipas BBC.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz deklaroi se operacioni kishte si qëllim “eliminimin e kërcënimeve ndaj Shtetit të Izraelit”, ndërsa shpalli një “gjendje të posaçme dhe të përhershme emergjence” në të gjithë vendin, në pritje të një kundërpërgjigjeje të mundshme iraniane me raketa.

Mediat shtetërore iraniane raportuan sot shpërthime në lindje dhe veri të Teheranit, ndërsa pamje të publikuara tregojnë re tymi mbi kryeqytet.

Agjencia “Fars” dhe televizioni shtetëror IRINN konfirmuan sulmet, duke njoftuar për shpërthime të reja gjatë mëngjesit.

Sirenat e alarmit u dëgjuan në mbarë Izraelin rreth orës 08:15 me orën lokale, duke paralajmëruar për rrezikun e një sulmi me raketa.

Pas sulmit, si Izraeli ashtu edhe Irani mbyllën hapësirat ajrore për fluturimet civile.

Agjencia iraniane “Tasnim” raportoi se hapësira ajrore e Iranit është mbyllur, ndërsa mediat izraelite njoftuan për një vendim të ngjashëm nga Tel Avivi.

Sipas raportimeve në mediat amerikane dhe izraelite, përfshirë CNN dhe “Ynet”, sulmi është koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithëse nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga Uashingtoni.

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi më herët se nuk ishte “i kënaqur” me ecurinë e bisedimeve me Iranin për programin bërthamor, ndonëse negociatat pritej të vazhdonin javën e ardhshme.

Trump ka urdhëruar gjithashtu grumbullimin më të madh të forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme që prej vitit 2003.

Tensionet mes dy vendeve mbeten të larta që nga “Lufta 12-ditore” e qershorit të kaluar, kur Izraeli goditi objektiva në Iran dhe SHBA-ja iu bashkua më pas sulmeve ndaj impianteve bërthamore iraniane.

Kryeministri izraelit Benjamin Netayahu ka paralajmëruar vazhdimisht për kërcënimin që, sipas tij, paraqesin raketat balistike iraniane, duke kundërshtuar një marrëveshje që do të kufizohej vetëm te programi bërthamor.

Nga ana tjetër, Irani ka refuzuar të diskutojë kufizime mbi programin e tij raketor dhe mbështetjen për aleatët rajonalë si Hamasi, Hezbollahu, milicitë në Irak dhe Huthit në Jemen, duke i cilësuar këto kërkesa si shkelje të sovranitetit të tij.

Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se do t’i përgjigjen çdo sulmi me forcë.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa rajoni pret zhvillimet e radhës dhe reagimin e Teheranit. (Atila KOTA)///

error: