Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur, se “qeveria është e vendosur të ndërmarrë masa që synojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, me qëllim përmirësimin e parametrave të tij, si faktor i rëndësishëm në nxitjen e turizmit në Shqipëri”.
E pranishme në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, gjatë diskutimit të ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” të ndryshuar, Kumbaro tha se, “nëpërmjet këtij ligji parashikohet mënyra e trajtimit të mbetjeve, duke i ndarë ato në kategori dhe procese, nga pika fillestare deri në pikën fundore të tyre”.
Kumbaro theksoi se, një nga kategoritë e mbetjeve, me përdorim të gjerë dhe të përditshëm nga çdo qytetar është qesja plastike mbajtëse, e cila përfshihet në llojin e mbetjeve të prodhuara nga ambalazhet sipas VKM së vitit 2012.
“Ne propozojmë ndryshime në tri nene të ligjit “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” të ndryshuar. Konkretisht në nenin 29, të këtij ligji kërkojmë të shtohet paragrafi, ‘ndalohet përdorimi, hedhja në treg, prodhimi dhe importimi, apo futja e qeseve plastike në territorin e Shqipërisë, qofshin këto edhe qese plastike të oxo-biodegradueshme”, tha Kumbaro.
Kumbaro tha se, në nenin 2 të këtij ligji, parashikohet shtimi i sanksioneve që vijnë nga mosrespektimi i ndryshimeve në nenin 29.
Sipas saj, dënohen me gjobë nga 1 milion lekë deri në 1.5 milionë lekë kushdo që fut në territorin e Shqipërisë qese plastike mbajtëse shumë të lehta, qese plastike mbajtëse të lehta dhe qese plastike të oxodegradueshme dhe oxo-biodegradueshme.
Çdo person që përdor në territorin e Shqipërisë qese plastike mbajtëse shumë të lehta, qese plastike mbajtëse të lehta dhe qese plastike të oxodegradueshme dhe oxo-biodegradueshme, dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.
“Nisma ligjore i bashkohet lëvizjes globale, dhe vjen në linjë me direktivat e BE-së, ku vende të ndryshme që po marrin masa të ndryshme për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike. Masat e ndërmarra synojnë reduktimin e plastikës së dëmshme për një mjedis të pastër që ndihmon në zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë së vendit”, deklaroi Kumbaro.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI