Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot 1-vjetorin e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar. Rama u shpreh se lumit të fundit të egër në Evropë i është dhënë statusi më i lartë i mbrojtjes. “Ditëlindja e Parkut Kombëtar të Vjosës. Një vit më parë i dhamë Vjosës statusin më të lartë të mbrojtjes, lumit të fundit të egër në Evropë duke nisur krijimin e një parku unik që po kthehet në kartvizitën më të vyer të Shqipërisë sonë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga Parku Kombëtar i Vjosës.
Vjosa, është një Park Kombëtar unik për Shqipërinë por edhe për Europën, i cili e fut vendin tonë në një tjetër kategori të hartës turistike europiane dhe hap një tjetër rrugë të re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social.
Pellgu ujëmbledhës përreth u siguron fshatrave tokë pjellore për aktivitete bujqësore si prodhimtaria bujqësore dhe blegtoria. Bollëku dhe diversiteti i peshqve është jetik për mirëqenien e peshkatarëve vendas, kryesisht në pjesën e poshtme të Vjosës. Ekoturizmi në Vjosë dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht vitet e fundit pasi të apasionuarit kanë filluar të shijojnë aktivitete të tilla si rafting, kanoe, kajak dhe not. Vjosa dhe degët e saj kryesore derdhen lirshëm për mbi 400 km, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri.
Lumi dhe zonat përreth tij janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe dy lloje bimore të vlerësuara si të kërcënuara globalisht nga IUCN. Parku Kombëtar i lumit të egër Vjosa lehtëson zgjidhjet e sfidave me të cilat përballet lumi si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI