SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Gjakmarrja individuale dhe hakmarrja shteterore

Nga Vangjel SAKO

Nuk dihet saktësisht kur e ka “ditëlindjen” gjakmarrja në vendin tonë por e sigurtë është se institucionalisht ajo u formëzua me kanunin e famshëm të Lekë Dukagjinit. Aty u përcaktuan qartësisht se si mund të zbatohej një akt I tillë, kush e vendoste drejtësinë pleqërore në këto raste, si duhej trajtuar edhe gjakmarrësi që jo gjithmonë quhej fajtor. Nëpër shekuj ky fenomen udhëtonte krah jetës sidomos në zonat e veriut, ku malësorët e quanin cështje nderi dhe shkonin edhe sypatrembur drejt vdekjes. Le t’ia hedhim mbi supe të gjitha të këqijat e botës sistemit diktatorial por një të vërtetë duhet ta pohojmë: e zhduku fenomenin e gjakmarrjes.

Diku me propogandë e diku me levat e fortësisë së diktaturës, u harruan armiqësitë midis individëve. Ndërkohë lulëzoi një tjetër hakmarrje, ajo midis individit dhe shtetit. Sa më shumë forcohej ky aq më shumë vihej në kudhrën e forcës individi që duhej të mos shkelte vijat e bardha. Në llogjikën e thjeshtë kjo ishte shumë normale por kur mendon se këto vija të bardha, sic e ka vënë në dukje edhe poeti ynë I shquar Fatos Arapi ishin para, mbas, majtas dhe djathtas jeta kthehej të bëhej vetëm në kafaz. Rezultante e kësaj ishte fakti se për një pakënaqësi apo për një shprehje thënë në pije e sipër duhet të kaloje vite të tëra në Spac apo nëpët biruca. Hakmarrja shtetërore në këto vite ishte torturë e stërmadhe sepse jo vetëm ngryste jetën e një njeriu që po themi gabonte në një moment, tortura shtrihej deri në brezin e tretë e të katërt të fisit. Shprehte një pakënaqësi për regjimin një qytetarë në Tiranë dhe frika në palcë e kapte edhe kushurinjtë në një fshat të thellë që nuk kishte asnjë lidhje fizike me të, përvec familjarëve që ishin të detyruar të linin kryeqytetin dhe të prashisnin pambuk në arat pa fund të Myzeqesë.

U deh dikush nga gëzimi apo hidhërimi dhe shishja e birrës që hodhi në një moment ra mbi portretin e “lartëmadhërisë” dhe brenda 24 orëve të gjithë motrat dhe vëllezërit me shkollë të lartë dhe me punë në institucionet shtetërore përfunduan të gjithë në guroret e qytetit. Duhej justifikuar mosrealizimi I objektivave në një fushë të caktuar të ekonomisë shqiptare dhe për këtë duheshin disa “koka turku” dhe kujt ti binte letra me vrimë përfundonte përpara karabinës apo në birucë, ndonëse deri dje ishin shkencëtarë të vërtetë, ndërkohë që familjarëve u ulej koka për të mos u ngritur më. Dhe vula e turpit nuk ishte vetëm në një brez por shkonte disa breza. Kam shpëtuar edhe unë njëherë nga gijotina shtetërore. Një kushëriri im I afërt gaboi në një moment dhe u dënua në bazë të ligjeve të kohës. Ngaqë shërbeja në Kukës unë nuk e kisha marrë veshë ende se c’kishte ndodhur kur më thirrën në mbledhjen e organizatës së partisë për të dhënë llogari. Edhe aty nuk ma treguan se c’kishte ngjarë dhe kur unë kërkova të më tregonin se c’kishte bërë vaki, më shtuan edhe akuzën e fshehjes së situatës. Falë zëmërgjërësisë së një komisari njerëzor si Fatri Bala që donte më shumë njeriun se politikën e partisë dhe e kuptojë sinqeritetin tim dhe më pyeti se “sa kohë kisha unë pa u takuar apo pa u parë me kushëririn” dhe mori përgjigjen pa gënjeshtër se “qysh kur ishim fëmijë dhe luanin top në rërën e lumit Osum” I shpëtova hakmarrjes shtetërore se përndryshe kush e di ku më degëdisnin. Ishte sistemi që hante bijtë e vetë. Të gjithë I mbajmë mend grupet armiqësore që shpalleshin nga udhëheqja në cdo tre – katër vjet dhe dënoheshin tre – katër nga byroja por merreshin më qafë dhjetra familje e qindra njerëz. Kam me dhjetra – qindra shembuj të miqve dhe shokëve që kanë vuajtur jo pak nga hakmarrja shtetërore e asaj kohe që mos ardhtë më kurrë, por vazhdojmë historikun e hakmarrjes në vendin tonë.

Erdhën vitet ’90 dhe ndërsa ne menduam për një pranverë në jetën tonë që e cilësonim sketerrë deri atëherë, ramë nga shiu në breshër në aspektin e gjakmarrjes dhe hakmarrjes. Kjo sepse tashmë u ndërthurër njëra me tjetrën gjakmarrja individuale me hakmarrjen shtetërore. Njëra më e dhëmbshur se tjetra. U hapën kasafortat e kujtesës dhe duke qënë se shteti ishte pothujase inekzistent, individi vetëvendoste se si do të merrte hakun e gjyshit që ishte vrarë përpara 100 vjetësh. Duke qënë se u keqkuptua fjala e madhe liri dhe për shumë factor, ku më kryesorja ishte mungesa e theksuar e saj gjatë sistemit ajo po zbatohej si të ishte pa kufi dhe limit dhe individi mund të bënte c’të donte, cka në të përditëshmen po përktheje si zbatim I ligjit të pyllit: I forti do mbisundonte. Rifilluan përsëri gjakmarrjet e vjetra ndërkohë që edhe hakmarrja shtetërore vetëm kthehu drejtim, pa ndryshuar në thelbin e saj. U dënuan bllokmenët se kishin konsumuar kafe më shumë se sa duhej dhe u degdisën të jetonin nëpër ish pularitë ( në fakt dhe realitet bllokmentë e sotëm nuk dinë se sa vila kanë), u miratuan llojë – llojë ligjesh për tu hakmarrë ndaj ish komunistëve ndonëse shumë prej tyre ishin specialist të mirëfilltë në zanatin e tyre, u prishën nga themelet qindra fabrika dhe uzina që sot mund të ishin shumë rentabël pa ndërtuar të rejat dhe më katastofikja ndodhi më sistemin e drejtësisë.

U mblodhën nga ana e anës ca agronom e veteriner dhe pasi u sistemuan në vilat e pushimit në Durrës, për vetëm 3 apo 6 muaj përvetësuan dijet që normalisht duheshin 5 e më shumë vjet për tu përvetësuar dhe zaptuan karriget e rehatshme të drejtësisë së re shqiptare. Rezultatin e pamë menjëherë: padrejtësia u ul këmbëkryq në vend ndërkohë që këta njerëz të drejtësisë u bën në vite me 10 apo 20 shtepi që cuditërisht I merrnin dhuratë ose nga vëllai në emigracion ose nga vjehrra. Të fortët që kishin euro fituar padrejtësisht livadhisnin kudo ndërkohë që burgjet mbusheshin me fukarenj, faji I të cilëve ishte ku e ku me të parët. Ndërkohë që për cdo ditë mësoje një vrasje për gjakmarrje, dhjetra qytetarë të tjerë liheshin në mëshirë të fatit si hakmarrje e shtetit. Nëse e para ishte një shfrim individual, kjo e dyta ishte një rrotacion që ndodhte sa herë ndërroheshin pushtetet. Kam njohur ( dhe I njoh akoma ) qytetarë që marrin “ leje të zakonshme” sapo vjen në pushtet partia kundërshtare dhe fillojnë menjëherë punë sapo vjen në pushtet partia që ai I shërben si ushtarë shëmbullorë. Është për të ardhur keq të pohoshë se ende ne nuk kemi arritur tek vlerësimi I ndershmërisë dhe profesionalizmit. Ndonëse janë bërë hapa përpara në këtë drejtim ende po nuk pate një të njohur apo rekomandim nga një pushtetarë nuk e merr dot atë që meriton. Ashtu sic edhe merr ndëshkimin nëse guxon të dalësh kundër liderit apo “parimeve partiake”. Ashtu sic ai djaloshi ende pa I dirsur mustaqja mori hakun e babait pak kohë më parë veprojnë plot të tjerë duke ringjallur gjakëmarrjen ashtu edhe të gjithë të punësuarit u duhet patjetër të mbajnë ritmin e partisë cdo ditë se ndryshe përfundojnë në “gurore”. Ende është në funksion biografia në punësim, ndërkohë që ecja përpara e vendit ka nevojë për profesionist të vërtetë dhe që dinë të bëjnë punën me cilësi. Nga fjalori nuk mund ti heqim dot fjalët gjakmarrje dhe hakmarrje por jemi aq të zot sa ti heqim nga e përditëshmja jonë.///

error: