Kristo ÇIPA
(Disa mendime rreth gjendjes aktuale të këngës vendçe shqiptare)/Një ndër mrekullitë kulturore të trashëgimisë botërore është kënga jonë vendçe, e cila është në fronin prestigjioz të saj, atje ku i takon, por me emër të tjetërsuar. Objekti i këtij shkrimi nuk është ky deformim, por gjendja aktuale e kësaj kënge dhe disa mendime se si mund të qetësohen zhgënjimet dhe mund të drejtohen disa deformime. Shpesh disa opinionistë, që në fakt nuk kanë lidhje me këtë këngë, por si dashamirës apo me vendorigjinë nga këto treva, duan të bëjnë shpjegimin e origjinës së saj mbi një hipotezë që është sa pa baza, po aq edhe fluturake. Kënga s’mund të lindë nga vajtimi, ashtu si edhe e qeshura s’mund të lindë nga të qarët, apo dita s’mund të lindë nga nata. Ato kanë pika lidhjeje, por janë gjendje shpirtërore apo fenomene natyrore krejt të kundërta. Kënga vendçe s’mund të jetë imitim i zërave të natyrës, përderisa vetë njeriu është qenia që ka prodhuar tinguj dhe zëra më përpara nga krejt qeniet mbi tokë.
Kënga është gjendje shpirtërore e vetë njeriut dhe vatra familjare ka qenë “skena” ku është “kompozuar” dhe ka bërë provat e para kjo këngë. Bohoritja, logatja, ligjërimi janë nënshtresa të kësaj kënge që tregojnë se kënga nuk mund të lindë nga vajtimi, se vajtimi kurrë nuk u bë dot shumëzërësh.
Gjatë këtyre 36 viteve të ndryshimeve të thella dhe të shpejta që pësoi shoqëria shqiptare, pa dyshim që edhe gjendja burimore e këngës vendçe pësoi ndryshime të mëdha. Baza e saj ka qenë kryesisht fshati, i cili gati sa nuk është tharë si burim kënge për vetë arsyen që njerëzit emigruan si jashtë dhe brenda vendit dhe atje ku shkuan, në forma nga më të larmishmet, krijuan grupe kënge për të zbrazur shpirtin. Kjo situatë la pak mundësi që të kemi tashmë grupe autoktone dhe, për rrjedhojë, edhe variante kënge burimore dhe origjinale, siç janë Dukati, Himara, Piluri, Lunxhëria, Bënça etj.
Ky ndryshim demografik ka sjellë nevojën e krijimit të një komisioni me përbërje institucionale dhe pjesëmarrje të drejtuesve të shumë grupeve dhe shoqatave kulturore për ta kornizuar (jo kontrolluar) këtë këngë për të qenë sa më afër burimores dhe autoktones.
Në integrimin e përgjithshëm rajonal, europian dhe botëror të folklorit në përgjithësi dhe këngës vendçe në veçanti, pjesëmarrja në shoqatat e mëdha ndoshta do të ishte një ndër udhët më efikase, por fatkeqësisht këto shoqata kanë dekada që janë monopolizuar dhe më shpejt do të futemi në BE se sa në këto shoqata. Pjesëmarrja në evenimentet që organizojnë këto shoqata ka qenë shumë e kufizuar për shumicën dërrmuese të grupeve dhe shoqatave të këngës vendçe, për të mos thënë që është vetëm në një dorë. Dhe jo vetëm që është monopolizuar në një dorë, por edhe cilësia e përfaqësimit ka qenë mjaft e dobët, duke paraqitur si ajkë të këngës vendçe edhe këngë të tilla si “Lidhe qenin ti moj qëne!”. Këta përfaqësues duhet të dinë se atë që ka monopol gjeniu nuk mund t’ia marrë në dorë njeriu!
Kënga vendçe dhe folklori në përgjithësi në vendin tonë sot vuan nga mungesa e drejtuesve profesionistë dhe tekst- e melodi-bërësve, duke lënë një boshllëk të madh në cilësinë e këngës vendçe. Perlat e mëdha të këngës vendçe shqiptare kanë pasur edhe autorë të mëdhenj. Mungesa e këtyre vjershëtorëve ka lënë hapur shtegun për të rikthyer në këtë këngë edhe tekste të vjetra pa pikën e vlerës dhe me subjekte jashtë realitetit që jetojmë. Kënga jonë vendçe është e bukur dhe me vlerë se ajo është para së gjithash bashkëkohore. Realiteti është brumi ku gatuhet shumëzërshja.
Vetëofrimi i shumë lëvruesve të kësaj kënge si specialistë folklori është sot një dukuri sa donkishoteske, po aq edhe dëmprurëse. Ministria e Kulturës si institucion qendror dhe Qendra e Veprimtarive Folklorike Kombëtare duhet t’i dalin për zot këtij fenomeni. Ne sot kemi të gjallë personalitete të mëdha si Zhani Ciko, Bardhosh Gaçe, Afërdita Onuzi, Shaban Sinani, Naxhi Kasoruho, Ermir Dizdari, Thoma Gaqi, etj., që kanë njohje dhe mendim të thellë për folklorin në përgjithësi dhe këngën vendçe në veçanti, të cilët mund të kualifikojnë edhe personalitetet në rritje të kësaj kënge.
Përveç problemeve në mangësitë e ruajtjes dhe transmetimit të këngës vendçe, kemi edhe dukuri pozitive që na bëjnë optimistë për jetëgjatësinë e kësaj kënge. Kemi shumë të rinj e të reja, fëmijë të shkollave 9-vjeçare dhe nxënës të shkollave të mesme që e dashurojnë dhe e interpretojnë këtë këngë. Ashtu siç një sportist i ri gjurmohet dhe stimulohet, edhe këngëtari apo këngëtarja e re duhet të ketë të njëjtin fat apo përkrahje. Sigurisht që kjo bëhet me anë të bartësve të folklorit që sot janë ende gjallë dhe mund ta kryejnë këtë mision pranë shkollave, por kjo në mënyrë institucionale, nën drejtimin e shtetit.
Fidanishtja e këngës vendçe nga shoqëria duhet konsideruar si vend i shenjtë. Vlerësimi moral i bartësve të kësaj kënge sot është futur në një qerthull pa rrugëdalje. Të vlerësosh një këngëtar të ri apo të rivlerësosh një të vjetër ka pak hapësirë, për të mos thënë se është gati e pamundur. Kjo rregullohet vetëm me ligj dhe jo të mbyllet si tani me ligj.///
ME SHUME LAJME
Info PLUS. “Besa – një fjalë nderi”, dokumentar për kodin e shqiptarëve që i mëson botës të jetojë në paqe
“Mirror”: Nga plazhet e kristalta te qytetet dinamike, Shqipëria në fokusin e turistëve
Shqipëria turistike në hartën globale të influencerëve